Shembull suksesi: Françesko Hasipi nga gjimnazi i Sarandës në universitetin e Athinës

Ka nxënës të talentuar e me prirje të veҫanta në fusha të ndryshme, që janë për t’u admiruar e për t’u ndjekur si shembull. Këta nxënës talentin e tyre e ushqejnë me punë të vazhdueshme e përkushtim maksimal në mënyrë që të arrijnë synimet që i kanë vendosur vetes.

E në fakt kur i ke të dyja, përvoja ka treguar se suksesi ka qenë i garantuar. I tillë është dhe rasti i maturantit Françesko Hasipi, i shkollës “Hasan Tahsini” në Sarandë.

Tek ai veҫohet dëshira që ka pasur dhe ka, për të arritur më të mirën e mundshme gjatë viteve të studimit në gjimnaz. Eshtë e vështirë të bëhet dallimi mes lëndëve që ai pëlqen duke u nisur nga prirjet dhe nga rezultatet.

Por Françesko ka pëlqyer e pëlqen informatikën dhe tashmë do të studjojë për Inxhineri Informatike në Universitetin e Athinës. Kam synime në jetë për studime më tej, na thotë Françesko, ndërsa nuk harron të shprehet bukur se ngado që të shkojë përsëri do të kthehet këtu pasi “guri i rëndë peshon në vend të vet”

Mbi të gjitha, do të doja të falenderoja të gjithë mësuesit e shkollës së mesme “Hasan Tahsini”, të cilët më kanë mbështetur dhe kanë ndikuar në formimin e karakterit tim. Një përshëndetje e veçantë shkon për mësuesin Ilir Dike, të cilin e vlerësoj si mësuesin më të mirë të gjimnazit “Hasan Tahsini”.

Ai më ka motivuar jashtë mase për t’i rritur përpjekjet e mia. Përgatitja dhe shpjegimi gjatë orës së mësimit janë vërtetë mahnitëse! Jam krenar që kam patur mundësinë të jem nxënësi i një mësuesi kaq të sinqertë, dashamirës dhe optimist, u shpreh jashtë kamerës Françesko.