Si mori fund korrupsioni në Butrint!

Menaxhimi i Butrintit nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit ngjalli jo pak polemika. Për këtë ka folur për herë të parë në ‘Ilva Now’, kreu i Fondacionit Michael Granoff i cili thotë se nuk ka pasur kurrë ide për transferimin e pronësisë ose diçka të tillë. Ai deklaron se korrupsioni në Butrint ka marrë fund, dhe jo sepse erdhën më shumë vizitorë dhe u shitën më shumë bileta, por sepse nuk pati më abuzime, dhe fitimet për rrjedhojë u rritën ndjeshëm.

Granoff: Do ju jap një shembull. Kur ne vendosëm biletat elektronike në Butrint, ajo që zbuluam është se fitimet u rritën ndjeshëm, dhe kjo jo sepse erdhën më shumë vizitorë. Por në fakt, ne i dhamë fund korrupsionit, ku fitimet nga biletat nuk shkonin për Butrintin. Dhe një nga gjërat që dihet për korrupsionin… ne kemi një shprehje në anglisht se ‘drita e diellit është dezinfektanti më i mirë’. Dhe një nga gjërat që ne përpiqemi të bëjnë në të gjitha projektet është të sigurohemi se jemi një shembull i mirë i dritës së diellit dhe i denoncimit të rasteve të korrupsionit. 

Por pse ka interes Fondi të investojë në Butrint?

Grenoff thotë: Duam të krijojmë një model të klasit botëror për menaxhimin, për t’u siguruar që Butrinti do të zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme dhe të jetë i hapur, jo vetëm për qytetarët e Shqipërisë, por edhe të jetë kanal për turizmin, për njerëzit jashtë që të vijnë dhe ta vizitojnë këtë vend të mahnitshëm.

Ai thekson se pronësia e Butrintit dhe gjithë siteve të trashëgimisë kulturore i takon qeverisë së Shqipërisë: Qeveria e Shqipërisë, sigurisht ka pronësinë e siteve të trashëgimisë kulturore, përfshi këtu Butrintin dhe kjo do të jetë kështu gjithnjë.

-Pjesë nga intervista e Michael Granoff, në Ilva Now:

Pati debate sa i takon përfshirjes së fondit në menaxhimin e Butrintit. Në fakt, ju po planifikoni të investoni 7 milionë dollarë te ky projekt në 7 vitet e ardhshme. Përse është fondi i interesuar të investojë në Butrint? Përse nuk janë të përfshirë arkeologët shqiptarë, si do t’i përgjigjeshe këtyre kritikave?

M: Si fillim, një nga fushat kyçe të veprimtarisë së fondit ka qenë trashëgimia kulturore dhe në fakt, Butrinti ishte një nga projektet e para ku fondi u angazhua, sepse Butrinti është një nga pikat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend. Mësova për këtë pas përfshirjes së Lord Rothschild në krijimin e Fondit të Butrintit, ndoshta 25 vite më parë ose më shumë. Dhe jam mik dhe bashkëpunëtor prej shumë kohësh me Lord Rothschild, në shumë aspekte. Ndaj mësova nga ai për Butrintin dhe aktiviteti ynë filloi shumë kohë më parë, me vendosjen e makinerive të biletave elektronike, për të siguruar më shumë transparencë.

Butrinti ka qenë në interesin e fondit për një kohë shumë të gjatë. Ajo që ne përpiqemi të bëjmë atje është të ndihmojmë qeverinë të krijojë atë që ne bëjmë gjithnjë, një model të klasit botëror për menaxhimin, për t’u siguruar që Butrinti do të zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme dhe të jetë i hapur, jo vetëm për qytetarët e Shqipërisë, por edhe të jetë kanal për turizmin, për njerëzit jashtë që të vijnë dhe ta vizitojnë këtë vend të mahnitshëm. Natyrisht, përfshirja jonë është që të sigurohemi se kjo po ndodh në rrugën më të mirë të mundshme. Qeveria e Shqipërisë, sigurisht ka pronësinë e siteve të trashëgimisë kulturore, përfshi këtu Butrintin dhe kjo do të jetë kështu gjithnjë. Struktura mbi të cilën kemi punuar me qeverinë për Butrintin është e atillë që ky plan menaxhimi të këshillojë qeverinë sesi ta mirëmenaxhojë projektin dhe t’i raportojmë qeverisë. Nuk ka pasur kurrë ide për transferimin e pronësisë ose diçka të tillë.

I: Dhe kur dëgjon për kritikat dhe për polemikat në Tiranë nga Nju Jorku, çfarë mendon? Nuk je lodhur duke pyetur se si është puna me shqiptarët? Se pavarësisht çfarë bëni, ata sërish kanë diçka për të thënë?

M: Mendoj fillimisht se të gjithë kanë të drejtën të shprehin këndvështrimet e tyre dhe dua që njerëzit ta bëjnë këtë. Një nga faktorët e të pasurit programe të gjata si ky i yni, është se ne jetojmë në zonën e politikave publike dhe presim që të ketë njerëz që do të jenë kritikë ndaj punës tonë. Ne thjesht duhet të sigurohemi se ajo që po bëjmë është e sinqertë, e drejtpërdrejtë, transparente dhe se funksionon. Do ju jap një shembull. Kur ne vendosëm biletat elektronike në Butrint, ajo që zbuluam është se fitimet u rritën ndjeshëm, dhe kjo jo sepse erdhën më shumë vizitorë. Por në fakt, ne i dhamë fund korrupsionit, ku fitimet nga biletat nuk shkonin për Butrintin. Dhe një nga gjërat që dihet për korrupsionin… ne kemi një shprehje në anglisht se ‘drita e diellit është dezinfektanti më i mirë’. Dhe një nga gjërat që ne përpiqemi të bëjnë në të gjitha projektet është të sigurihemi se jemi një shembull i mirë i dritës së diellit dhe i denoncimit të rasteve të korrupsionit.

-Granoff u pyet edhe për bashkëpunimin me autoritetet shqiptare dhe pse Shqipëria e ka të vështirë të tërheqë investitorë të huaj në vend?

M: Qartësisht, tani po përballemi me një situatë ekonomike të ndryshuar në mënyrë dramatike, ku njerëzit nuk mund të udhëtojnë, nuk mund të lëvizin dhe natyrisht në çdo vend, njerëzit janë bërë disi më të kufizuar dhe kjo padyshim që pengon investimet direkte të huaja. Për të tërhequr më shumë investime të huaja, shpesh jam përpjekur t’i krahasoj vendet me kompani. Unë drejtoj një kompani në Shtetet e Bashkuara dhe kam konkurrentë. Që të kem sukses, unë duhet të performoj më mirë sesa konkurrentët e mi. Dhe në disa forma, kjo sfidë për tërheqjen e investimeve direkte të huaja nuk është shumë ndryshe. Të gjitha vendet do të donin më shumë investime direkte të huaja dhe si pasojë ata po konkurrojnë me njëri-tjetrin për këtë. Kështu, rruga si të jesh konkurrent i suksesshëm është të shohësh përreth dhe të kuptosh çfarë po bëjnë njerëzit më të aftë rreth teje, çfarë funksionon dhe çfarë jo dhe të dalësh me një plan strategjik që ti mendon se mund të ecë më mirë sesa ajo që po bëjnë konkurrentët për të tërhequr investime të huaja. Dhe kështu, kjo ka qenë këshilla ime në përgjithësi për një kohë tëgjatë, për mënyrën më të mirë për të tërhequr investime të huaja. Por natyra e pyetjes tënde është e drejtë. Disa nga faktorët që i bëjnë vendet më konkurruese janë në sferën ekonomike, disa prej tyre janë në sferën e demokracisë, në sferën e mirëqeverisjes, në sferën e reformës në drejtësi. Kjo është një paketë, është e vështirë të veçosh një element.

I: Si do ta vlerësonit bashkëpunimin aktual që ju keni me autoritetet shqiptare?

M: Që në fillim, kur nisa të vija në Shqipëri, kuptova se, nisur nga përmasat e vendit, Fondi ynë do të duhej të ndërvepronte me qeverinë në një formë që ishte ndoshta më gjithëpërfshirëse se në shumicën e fondacioneve dhe fondeve që u krijuan përqark Evropës Lindore në fund të komunizmit. Gjithashtu kuptova se ishte shumë e rëndësishme që ne të qëndronim mbi politikën, në një formë që t’i shpërbenim popullit shqiptar dhe jo atyre që ishin në pushtet ose jo, në një moment të caktuar. Ndaj, ajo që ne duhej të bënim, ishte të kultivonim marrëdhënie të mira me njerëzit në qeveri dhe me njerëzit në opozitë. Dhe kjo strategji ka funksionuar shumë mirë për një periudhë të gjatë kohore. Dhe në një mjedis super politik siç është Shqipëria, ne kurrë nuk e kemi parë fondin të përzihet në aspektin politik të gjërave. Dhe arsyeja është, besoj se njerëzit e kuptojnë se ajo çfarë po bëjmë është në interes të vendit. Dhe në këtë aspekt, mendoj se kemi pasur një bashkëpunim të mirë me të gjitha llojet e qeverisjeve, me entitete nga qeveria vendore, entitete qeveritare komunale, si Bashkia e Tiranës, deri te qeveria kombëtare. Dhe jemi përpjekur të krijojmë partneritete produktive me ministri të ndryshme që merren me projektet tona dhe interesat tona dhe kemi përpjekur t’i sjellim në drejtim pozitiv. Dhe mendoj se kjo është një prej arsyeve pse ne kemi pasur sukses për kaq gjatë. Jam i lumtur për partneritetet që kemi krijuar. Dhe jam i lumtur me marrëdhëniet që kemi mundur të zhvillojmë.

I: Në fakt, ju kam parë me autoritetet shqiptare, me Kryebashkiakun e Tiranës, me Kryeministrin gjatë hapjes së“TUMO”-s në Shqipëri dhe në fakt jam xheloze për fëmijët e mi, ata nuk i bashkohen dot. Është vetëm për fëmijë nga 12-18 vjeç. Përse investuat pikërisht te kjo grupmoshë dhe cili është qëllimi kryesor i “TUMO”-s?

M: Nëse mendon për të ardhmen e Shqipërisë dhe të ardhmen e çdo vendi, dhe nëse do ju pyesja cilët janë disa nga faktorët më të rëndësishëm, me siguri do të flisnit për fëmijët tanë dhe gjithashtu për teknologjinë. Fëmijët tanë janë e ardhmja jonë, jo vetëm e Shqipërisë, por e gjithë botës. Dhe natyrisht, roli i teknologjisë është gjithnjë e më i rëndësishëm dhe më thelbësor dhe mjaft interesante është se edhe në një kohë pandemie, teknologjia të lejon të shkosh përtej kufijve. Nuk ka linja gjeografike në teknologji. Dhe ne menduam se diçka që mund ta bënim dhe që do të kishte kuptim në kohë, do të ishte të siguronim edukim digjital për fëmijët në Shqipëri. Nuk u përpoqëm të rishpiknim rrotën. Ndaj, kërkuam në botë për modelet më të mira të edukimit digjital. Dhe interesante është, se modeli më i mirë që ne gjetëm nuk ishte në Silicon Valley, ose diku tjetër ku ju e prisni, por ishte në Jerevan, Armeni dhe njerëzit e “TUMO”-s kishin zhvilluar një model të klasit botëror sesi duhet bërë edukimi digjital që tani është përshtatur edhe nëqytete të tjera si Parisi, Moska, kudo në botë. Ndaj ne shkuam në Armeni, folëm me këta persona që ta sillnim dhe ta përshtasnim këtë model në Shqipëri. Dhe kjo është ajo që bëmë.

I: Tani që ju keni investuar te “TUMO”, do të vijoni të mbështesni programin e Arritjeve të të Rinjve në fushën e edukimit?

M: Po, këto janë dy gjëra të ndryshme, pra njëra nuk shfuqizon tjetrën. Është e vështirë për ne që të ndërtojmë një gamë të gjerë projektesh dhe programesh që në këtë rast, do të merret me edukimin dhe me fëmijët shqiptarë, që projektet të ndihmojnë njëra-tjetrën. Ato nuk e shfuqizojnë njëra-tjetrën në asnjë mënyrë. Shpresa ime është që me kohën, kjo gamë që kemi krijuar, qoftë “TUMO” ose qofshin programe edukative, të formojnë një gamë të gjerë  programesh që mund të krijojnë zhvillim dhe të ndihmojnë fëmijët e Shqipërisë të rriten dhe të konkurrojnë në botën e së nesërmes.