Skandali me nënshtetësinë, Hyseni: Meta abuzoi, do e rishikojmë këtë kompetencë në ndryshimet për ligjin e presidentit

Pas skandalit te presidentit Ilir Meta me nënshtetësinë, deputeti i mazhorancës, Alket Hyseni thotë për Report Tv se kjo kompetencë e tij do të rishikohet në ligjin për presidentin që do të miratohet së shpejti.

Hyseni i ka cilësuar si të frikshme numrin e nënshtetësive që ka dhënë presidenti Ilir Meta brenda një viti, një numër shumë i madh krahasuar me presidentët paraardhës, duke vënë theksin se është e papranueshme që ky akt solemn siç e quan ai të përdoret për ndere personale.

“E vlerësoj investigimin e TV tuaj dhe çuditërisht kemi parë shifra të pabesueshme, mbi 900 dhënie nënshtetësie të pakrahasueshme me presidentët e tjerë. Është realisht për t’u shqetësuar. Mendoj që kjo është një nga problematikat që ka krijuar ai institucion në vakumin që ka në ushtrimin e kompetencave dhe në zellin e tepruar për të shkelur kompetencat ligjore apo kushtetuese.

Nuk përbën më lajm se çfarë bën ai institucion për fat të keq. Ne jemi në një procedurë për krijimin e ligjit të ri dhe ndoshta është e nevojshme për t’u parë me vëmendje dhe ligji me nën shtetësinë, që të mos keqpërdoren nënshtetësia, një akt i shenjë dhe solemn i presidentit dhe jo më kot i është lënë këtij institucioni nga pikëpamja honorofike, për të mos e përdorur për ndere personale.

Unë e di që në atë listë emrat e kanë merituar, por pavarësisht kësaj, ka një procedurë të caktuar që nuk mund të shmanget dhe të shkelet nga askush për më tepër nga ai që duhet ta ruajë. Është një ide e imja, jo e grupit, duhet parë në fokusin e të gjithë institucioneve që përfshihen në këtë proces.

E frikshme që në një periudhë kaq të shkurtër ka dhënë më shumë se të gjithë presidentët së bashku, megjithatë unë nuk kam një informacion. Jam i prirur të besoj atë që është shkruar në media, por nga pikëpamja profesionale duhet t’i besoj informacioneve zyrtare për të parë deri në ç’fazë ka shkuar kjo shkelje, por e rëndësishme është se çfarë duhet të bëhet”, tha për Report Tv, Hyseni.