Lame: Flamuri që u ngrit në Vlorë nuk u qëndis nga Marigoja

Studiuesi Artan Lame tha në emisionin “Opinion” se mendohet që flamuri që u ngrit në Vlorë në 28 Nëntor të vitit 1912 nuk u qëndis nga Marigo Pozio, sikurse është thënë zakonisht.

Ndërsa kanë kaluar 108 vite nga ai moment, diskutimet për modelin dhe flamurin që u ngrit janë ende të hapura mes studiuesve.

Për Artan Lamen, flamurin qe u ngrit e solli Spiridon Ilo nga Rumania dhe ishte një flamur i stampuar.

“Besoj që biem të gjithë dakord që Marigoja nuk është ajo që e qëndrisi. Marigoja është një vajzë patriote e hedhur në atë Vlorën myslimane të kohës. Ajo vetë merrej me rininë e me këto gjëra dhe ndoshta mund ta ketë thënë dhe vetë ajo, që unë e bëra. Të mos harrojmë që akoma në ato ditë, në zyrat e shtetit ishte flamuri i Turqisë. Unë besoj që ka akoma  ka vend për të hulumtuar. Ekzistojnë dy kopje të atij flamuri dhe një stampë. Ishte flamur i stampuar i sjellë nga Spiridon Ilo. Ai solli disa me vete”, tha Lame.

Ndërkohë historiani Niko Kotherja tha se në studimet e tij ka konstatuar se janë të paktën 12 personazhe që mendohet se e kanë sjellë flamurin. “Mua e besueshme më duket pjesa e Marigosë.

Në Shqipëri është e pamundur të mbahesh mend për diçka që nuk e ke bërë. Marigonë është e kapuptimtë ta marrim si një grua të veçuar. Ajo është si familje e jashtëzakonshme në kontributin patriotik”, tha Kotherja.