“Grekët vrisnin, digjnin dhe shkatërronin katunde të tëra dhe përpjekjet e Greqisë për të aneksuar Gjirokastrën”

Memorie.al publikon historinë e panjohur të gazetarit rumun, Dr. Vlad Vanteanu, i cili në vitin 1934-ën, ndërmori një udhëtim të gjatë nëpër Shqipëri, duke vizituar pothuaj të gjitha qytetet kryesore të vendit tonë. Si u mahnit ai nga bukuritë përrallore të Beratit e Gjirokastrës dhe reportazhet që bëri në gazetën “Cuvantul” të Bukureshtit për ato dy qytete që i krahasonte me Monakon e Raguzën!

Nga Dashnor Kaloçi

Historia e lashtë e saj dhe burrat e mëdhenj që ajo nxorri në shekuj, të përshkruar me aq mjeshtëri nga kronikanët e huaj, si Evla Celebi, e më pas Pukvili e Bajroni, apo bukuritë përrallore të shumë qyteteve piktoreske dhe krahinave të saj nga jugu në veri, kalatë madhështore mijravjeçare, njerëzit e mrekullueshëm e bujarë me kostumet e tyre karakteristike, dhe kushedi sa çfarë tjetër që ai kishte dëgjuar për vëndin e shqipeve, e shtynë gazetarin rumun, Vlad Vanteanu, që më 1934-ën, të ndërmerrte një udhëtim të gjatë në të gjitha krahinat dhe qyetet e Shqipërisë. Dhe më pas i mahnitur nga ato që pa, të shkruante disa reportazhe në gazetën “Cuvantul” të Bukureshtit ku ai punonte. Nga ato impresione e mbresa të hedhura me mjeshtëri në reportazhet e tij, ne kemi përzgjedhur për botim ato ku ai flet për Beratin e Gjirokastrën, të cilat po i botojmë të plota dhe pa asnjë shkurtim, në versionin origjinal ashtu siç u përkthyen dhe botuan plot 86 vjet më parë, në gazetën “Besa” të Tiranës, me pronar e botues, Fiqri Rusin.

Reportazhi i gazetarit rumun: “Berati, Margaritar i Shqipërisë qendrore”

Një nga të bukurat qytete të Shqipërisë, me pamje shqiptare të posaçme sikurse edhe Gjinokastra në juglindje, është Berati. Pozita e këtyre dy qyteteve është nga më piktoresket. Berati është shtruarë në rrëzë të maleve të Tomorrit, që është më i larti në Shqipërinë e Mesme e që ka një lartësi mbi 2.500 metra. Është Olimbi shqiptar me perëndi legjendare në të cilën shëtisnin në verë me qindra të krisherë dhe muahamedanë. Ky është themli i qytetit i cili në lindje dominohet edhe prej malit Sinia, prej afro 1.200 metra lartësi, kurse nga anët e tjera rrethohet prej kodrash të nalta që arriojnë pothuaj se 1000 metra. Në këtë rreth është shtrirë Berati, jo në tatëpjetën e lumit Osum i cili ka bërë vend brënda midis kodrave, por në dy krahët e maleve që rrethojën lumin. Një pozitë kjo që s’mund të jetë më e bukur. Mos sigurimi i kohëve të vjetra të hershme e donte që qytetet të largoheshin nga fushat. Prandaj në qytete gjejmë qytete që s’kanë histori. Shqipëria që as një herë ka qenë sunduar me të vërtetë, por gjithnjë në luftë duhet të siguronte qytetet e katundet prej armikut dyke i ngrehur ata nëpër male dhe kodra të paprekshme sikurse janë instaluar qytetet: Durrës, Krujë, Gjinokastër dhe Tepelenë, ku është kalaja e Ali Pashës që eternizohet prej Byron-it në “Child Harold”. Në rast se qytetet instalohen në majë të një bregu që mund të preken kollaj ose në tatëpjeta, mbronin me kalara madhështore e të forta si ajo e Shkodrës, e Alessio-s ose Berati. Këto qytete janë ndonjëherë aq shumë të ngjitura prej mureve të maleve se shkëmbijtë shumë herë mvaren mbi ta dhe si në Cattaro hedhin hijen e tyre mbi qytet.

 “Shtëpitë e bardha me qeparize, të mahnitëshme”!

Në këtë mënyrë edhe Berati ngreh shtëpitë në lartësitë që rrethojnë lumin Osum. Në rrëzë të djathtë ngrehet i tmerrshëm mbi qytet një mal i thatë të cilin Osumi e pret duke e ndarë nga mali Zhitom me të cilën kish qenë i bashkuarë. Këndej lumi ka formuar një udhë të ngushtë dhe mbi mal është ngrehur që në kohën e Bizantinëvet një kala e madhe prej një farë Mihail Commnenu sikur thotë tradita. Turqit e quanin qytetin Arnaut Beligrad, d.m.th. qytet i bardhë i shqiptarëvet. Ky emër i përshtatet. Të dy kodrat e nalta që sbresin mbi lumë janë të mbuluara me shtëpi me kate, të bardha ose të bojatisura me trëndafil ose boj qiell të hapur dyke u dukur si pika të bardha midis errësirës së qeparizevet. Ngrihen lart njera mbi tjetrën dhe duken sikur formojnë shkallë mbi të cilat mund të hipësh gjer në majë të kodrës. Aty këtu nga qiparisat dalin nja dhjetë minare të mprehta të xhamive të vjetra sikurse edhe majat e të pesë kishave orthodhokse. Karakteristikë e shtëpive të Beratit sikurse edhe t’atyre të Shqipëris së Jugës, përgjithësisht janë dritoret e shumta dhe ballkonet e mëdhenjë me xhame të mbyllura me mure gjer lart (veranda). Shtëpitë dyke qenë të rradhitura e të ngritura njera mbi tjetrën, mbrëmanet dritoret e tyre ndritin gjithë tatëpjetën. Sheh dritat që ngrihen prej poshti lart gjer sa bashkohen me ndriçimin e hyjve. Këtë pamje të vetme ta japin të dy të përpjetat që ngrihen njera kundër tjetrës. Dyke ardhur nga qyteti i vogël i Lushnje, shkon më parë në lagjen më të re që është ngritur në një shesh të gjerë që ka qenë shtrati i vjetër i lumit Osum, derdhja e të cilit u rregullua. Kjo lagje është caktuar të marrë një zhvillim modern. Këtu shohim një kopsht Englez dhe një shkollë industriale shumë moderne, instalimi i së cilës ka kushtuar 35 millona lei.

 “Ura e Kurt Pashajt”

Më tutje sheh një urë të bukur sistem turk, shumë me gusto dhe të mbështetur mbi disa arkë të gjera që lidhin qytetin nga ana e djathtë e lumit me lagjen Goricë që ka kundrejt. Për këtë urë thuhet po ajo legjendë që dëgjova në Shkodër për ngrehjen e fortesës së Rozafat; që ura të mos rrëzohet ka qenë murosur brenda një grua. Dyke hyrë në qytet, anës kalasë gjendesh në një të vetmen rrugë të rëndësishme, Rruga Mbretnore që zgjatet anës lumit që prej urës së Kurt Pashait e deri tek Posta. Vetëm kjo rrugë dhe disa të tjera që dalin në të, formojnë lagjen tregtare ku janë instaluar autoritetet, sepse Berati është qëndër Prefekture. Vetëm kjo lagje tregtare mund të pranojë ndryshimet që parashikohen prej arhitektëvet dhe ingjinierëvet që rregullojnë në të gjithë Shqipërinë qytetet e rinj në vend të të vjetërvet. Prandaj këtu po gërmohet dheu për punime dhe kanalizime të ujit, këtu po ngrihen dhe do të ngrihen ndërtesa moderne. Por rrugat që ngjiten përpjetë ku është i pamundur një rregullim, mbeten të pacenuara dyke mbajtur kështu karakterin shqiptar dhe oriental.

 “Berati, Antipatraeha apo Pulcheriopolis”

Berati që gjer tash është prekur vetëm pak prej kazmave t’ ingjinierëvet dhe arhitektëve ka mundur të ruajë fshehtësinë e qytetit shqiptar, por s’ka fituar dhe aq nga mirësitë e qytetërimit oksidental sepse i mungojnë komoditetet që qytetet e tjerë i kanë me tepricë. Kështu mungojnë hotelet; Sot Berati ka një hotel modern “Kolombo”, gjenë vetëm hane mjaft primitive, ndonëse në dhoma gjen shtrat dhe komodina. Fryma e qytetërimit që bëri një qytet tjetër Elbasanin, qytet i posaçëm shqiptar të ngrehi një hotel shumë modern që plotëson nevojat e oksidentëvet, nuk do të vonëojë të arrijë edhe në Berat. Hë për hë gjithë poezia e posaçme e qytetit është ruajtur. Mbi anë të mëngjër të lumit, mbi malin Shpirak, është ngritur lagjia e orthodhokse; Goricë, në të cilën banojnë shumë dhe ku duket kubeja e kishës së bukur. Dyke vërejtur historinë shohim se historianët edhe nuk kanë caktuar gjë mbi idenitifikimin e qytetit. Disa thonë se është fjala për kalanë e vjetër Antipatraea, për të cilën flet edhe Tit-liviu e çquar prej kohës së luftës parë Maqedhonjane, të tjerët gjejnë se është Pulcheriopolis i shekullit të V-të. Shkrimtarët bizantin e quajn qytetin në fjalë Belagrita, kurse sllavët, Beligrad, gjë që na bën të pandehim se qyteti është themeluar prej sllavëvet në themele më të vjetra bizantine ose Ilirianë. Sidoqoftë vetëm studimet e arheollogëve që këtu kanë material shumë të begatëshëm do të mundin të gjejnë të vërtetën.

 “Kalaja e lashtë me mure veneciane”

Kalaja siç duket është bizantine, por muret që janë më këmbë, kolonat dhe kubet, për mbrojtje, janë veneciane. Mbas vizitës së lagjes, ngjitesh për në kala. Rrallë guxojnë shoferët të ngjitin makinën në të përpjetën e dredhur që shpie lart, por zotësia e shoferit t’onë që na ka gjezdisur nëpër të gjithë Shqipërinë dhe shumë herë na pa të trembur nga disa gremina, i kalon pengimet me sukses. Sa herë nuk e ngacmoja të famshmin shofer që quheshë Fadil Sopoti, dyke thënë: “Udha është e mirë, vetëm shoferi është i keq”. Më në fund arrijtëm lart, kalojmë nëpër dy porta me kube dhe gjendemi në një qëndër. Maqina duhet lënë këtu, sepse nuk mund të kalojë nëpër rrugët e ngushta të shtruara me gurë të mëdhenj e të lëmuar, të cilët që prej shumë kohësh nuk i ka shkelur potkoi i kalit. Bëjmë rrethimin e mureve me kollona dhe me kubera prej ku sheh poshtë thellë, gjithë qytetin. Pamje e këndëshme. Topa të vjetër të mëdha me mbishkrime veneciane dhe turke lëngojnë në qëndër dhe dhe nëpër muret dyke dhënë shkak fëmijvet të lozin luftazi. Këtu gjenden dhe disa burime e puse të fshehur nën tokë, për raste tradhëtije ose rrethimi. Dyke zbritur shumë shkallë të ngrëna, arim në një dhomë të gjerë e të naltë prej guri ku ndodhen burimet me ujë të ftohtë. Po me këtë formë gjenden sot edhe në Stamboll burime që prej kohës së byzantinëvet. Ngjitemi në një rrugë përpjetë kundrejt katedrales ku ësht dhe banesa e Peshkopit. Këtu admiron pastërtinë e rrugëvet e cila në qytet mungon. Shkojmë para shtëpivet të pastërta dhe me kopshte të bukura. Duke shëtitur, ky vend të bën përshtypje të çuditëshme se të transporton fantazinë në kohën e mesme, por menjëherë të del përpara shtylla me fije elektriku që zgjeten prej njërës shtëpi në tjetrën. Është pamje shum e bukur, kur shikon në mbrëmanet këtë pamje të ndriçuar me elektrik.

“Qyteti i Beratit më ngjan shumë me Monakon”

Në reportazhin e tij për qytetin e lashtë të Beratit, gazetari rumun, Vlad Vanteanu, midis të tjerash ka bërë një përshkrim edhe për kishat e shumta që ndodheshin sidomos në kalanë e tij dhe gjithë qytetin që i kujtonte Monakon. Lidhur me këtë, ai shkruan: “Kisha janë shumë, më shumë se 30 të grumbulluara në vëndin e ngushtë të kalasë, një pjesë e tyre janë krejt të shkatërruara. Kudo kube bizantine. Këto kisha të vjetra (njëra prej tyre që është prej shekullit të IX) thesarizojnë monumente të vërteta të artit bizantin shqiptar. Muret e brendshme të kishave janë të zografisura me styl bizantin, por për fat të keq vetëm disa janë ruajtur mirë, nga shkaku i kujdesjes së vogël t’autoritetit të vendit nuk janë ruajtur të gjitha. Të gjitha kishat janë plot piktura si edhe në Voskopojë që është qëndra e vjetër e arumunëve (vlleh) të Korçës. Disa shenjtor nga këto zografime janë të prezantuar në kostumet shqiptare. Kështu shohim në kishat e Sh’ Marisë, Shën Jan Pagëzmitarin të mveshur me një mbelerinë prej leshi prej bariu shqiptari. Të tjerë shenjëtorë përfaqësohen me të tjera hollësira të kostumeve shqiptare. Disa kisha vëndet e koravet,(ikonostase) i kanë të skulpturuara me shenja karakteristike të holla shqiptare. Në një kishë gjenden disa kollona me shenja romane. Këto kanë ardhur nga gërmadhat e kalavet të vjetar romane dhe greke. (Në të gjithë Shqipërinë takon kisha ose xhamia në të cilat sheh kolona ose gurë të vjetër styli që mbajnë kubetë). Këto kanë qenë të gjetura prej vëndasvet që i kanë çmuar bukuritë e tyre dhe prandaj i kanë përdorur për ngrehjen e kishave ose xhamive. Edhe në oborrin e një shtëpije të kalasë së Beratit duken të vëna në mure disa mermerr. Berati me kalanë e sajë të banueshme dyke pasur mbi një shkëmb udhëheqësit e krishterimit dhe t’autoritetit kishtar, e më tjetër anë qyteti tregtar që ngrihet nalt deri në majën e malit, më kujtoi Monakon”.

 “Gjirokastra, si qytetet dalmate të Bosnjes”

Një tjetër qytet me fizionomi shumë karakteristike është Gjirokastra, që quhet prej grekërvet Argjirokastra. Është i ngrehur në greminat e të vjetërit emër Argjyrion ose ndofta në Panhotese; por identifikohet sigurisht me Adrianopolis-in të shekullit të V-të, për këtë datë kronikat shënojnë qenien e një peshkopi në këtë qytet. Gjinokstra gjendet në rrugën që shpije prej Tepelene në Janinën e Greqisë, atdheu i Ali Pashës, Shqiptar kryengritës që dëshironte të çrobërojë vëndin e tij nga sundimi i Turqisë. Pra jemi në tokë historike. Gjinokstra ka një pozitë shumë të çuditshme sepse është vendosur në pesë kënde të larta të malit Qar, me përrej të thellë në të cilat zbresin ujrat prej malesh. Këta përrej e përshkojnë dhe ndajnë qytetin në shumë lagje. Shtëpitë janë si dhe në Berat me kate të rradhitura mbi të përpjetat e malit Qar. Mbi të shumat janë bojë hiri nga shkaku i vjetërsisë së tyre. Janë të mbuluara me pllaka guri prandaj nga ky shkak e meriton emrin që i është dhënë: “qytet i hirosurë”. Vetëm pak shtëpi janë të reja dhe moderne. Boja e hirit predominon se shtohet edhe prej mungesës së gjelbërimit: në malin Qar nuk duket asnjë bimë veçse disa qepariza dhe plepa të izolluar. Pamjes i japin pak gjallëri minaret e holla dhe madhështore që duken midis qeparizavet. Ky qytet është krejt i ndryshëm nga qyteti që pamë gjer tani, por jo më pak interesant nga sa ngjan me disa qytete të maleve t’ona të Dalmacisë dhe Bosnjes. Pamja që shfaq ky qytet kur e shoh së poshtmi, prej rrugës që zgjatet përtej Drinos, është e ndryshme nga bukuritë e kandëshme të rrugës së gjelbëruar t’ë anës së mëngjër të Drinos. Para se të kalojmë kurben e fundit që të ngjitemi me maqinë mbi një të përpjetë që të shpije në qytet, ndalim që të shohim qytetin së poshtmi.

 “Kalja madhështore e ngritur nga inxhinerët francezë”

Një kala madhështore e ngrehur prej ingjinjerësh francezë për Ali Pashanë e Janinës, predominon qytetin. Muret që e rrethojnë kalanë edhe sot janë të mirë. Kjo kala asht e transformuese prej shtetit në burg. Maqina fillon të ngjitet në një të përpjetë të rrezikshme. Shpresojm se në qytet rrugët do të jenë të drejta por u gënjyem, se ato janë të dredhura dhe të përpjeta sikurse edhe në pjacën e madhe përpara prefekturës. Kur hymë në qytet nuk duket aq keq. Tregtia është shumë e zhvilluar prandaj në të gjitha anët e rrugës ka shumë kallaballëk. Shumica janë të veshur me kostume karakteristike të ksaj krahine që ngjan me kostumet greke. Një fustanellë të bardhë me shumë pala, tirq, opinga, majat e të cilave mbarojnë me një xhufkë, jelek shqiptar dhe qylaf. Kështu janë veshur katundarët e rrethit që vijnë në treg për blerje dhe shitje. Kudo sheh magazina sepse tregtia është në lulzim; Gjinokastra lidh një pjesë të Shqipërisë me skelën e Sarandës që është në detin Jonio. Ulica (rrugë, shënimi ynë) të ngushta të formuara prej shkallësh që lidhin një rrugë me tjetrënë që ndodhet më lart, kanë një bukuri piktoreske të posaçme. Të shtruara me gurë të madhejë, ulicat përshkojn nëpër oborre, nëpër strehët e shtëpive, ndënë galeria e ndënë pjergulla që zgjaten prej një shtëpie në tjetrën kundrejt, duke u ngjitur me shkallë si në Raguzë. Kalon me maqinë nëpër rrugë të shtruara, anës përrenjëve të thellë dhe çuditesh si mund të bëhet udhëtimi me karroca në këto vende. Asgjë nuk është vënë që të pengojë karrocierin ose shoferin për të mos rënë në përrua të tmershëm, me gabimin më të vogël. Pamë një vend ku ish rrëzuar një maqinë në përrua dhe prandaj që n’ atë moment këshillojmë shoferin t’onë që të ketë mëndjen, por ay na qetëson duke na thënë: “Jam shqiptar trim dhe sportist”. Rrugë të drejta pothuaj nuk ekzistojnë, të gjitha janë shumë a pak të dredhura dhe të pjerrta.

 “Qyteti që ka dhe aeroplan”

Shtëpitë më të bukura me dy apo tre kate banohen prej bejlerësh. Disa nga këto shtëpitë e Gjinokastrës si dhe shumë shtëpi përgjithsisht të jugës së Shqipërisë të bëjnë përshtypjen e fortesave duke pasur formën e kullave të mbrojtura jo vetëm prej pozitës së tyre natyrale por edhe prej forcimeve artificiale, prandaj janë me të vërtetë fortesa. Gjinokastra asht kryeqytet i Epirit Shqiptar dhe qëndra e një Episkopit. Gjysma e popullsisë së rrethit është rritur me kulturë greke, por karakteri i qytetit është shqiptar, jo vtëm nga pamja, por edhe përgjithësisht nga arkitektura, nga shpirti që dominon në të. Këtu vazhdojnë më shumë shkolla sepse Gjinokastra, Korça dhe Shkodra, janë tre qytetet e Shqipërisë që kanë më shumë shkolla dhe më pak analfabetë. Prej këtij qyteti mund të marrësh aeroplanë për në Tiranë ose Vlorë. Është një nga qytetet e Shqipërisë që është pajosur me spital të madh. Ky qytet çquhet edhe nga sendet t’ artit Shqiptar që ruhen sidomos me skulpturë të hollë në dru. I denjë për të kujtuar është edhe depoja e madhe e ujit e ngrehur prej Ali Pashë Tepelenës që sjell ujin prej maleve të Sopotit. Sot është e shkattëruar por kollonat e larta të depos që janë më të larta se ato Romane që kam parë në Francë predominojnë. Ajo që më dëshpëroj më tepër në këtë qytet trheqës dhe piktoresk ish gjendja e hoteleve. Në sa i përket hygjenës, pastërtia dhe edukatën, popullit i mbetet shumë për të bërë, janë të mbeturat e shekujve të sundimit turk kur të gjithë dridheshin të kishin vende të kujdesura e të pastra, sa herë që pamja bëhej më e mirë, shtoheshin taksat. Por përgjithësisht kur hynë nëpër shtëpitë, qoftë dhe të vobegtëve, konstaton kujdes të çquar për pastërti.

Vanteanu: “Grekët vrisnin, digjnin dhe shkatërronin katunde të tëra dhe përpjekjet e Greqisë për të aneksuar Gjirokastrën”

Në reportazhin e tij për qytetin e gurtë të Gjirokastrës, gazetari rumun, Dr. Vlad Vanteanu, është ndalur gjat dhe në përpjekjet e Greqisë për të aneksuar Gjirokastrën. Lidhur me këtë, në shkrimin e tij ai shkruan: “Në historinë e Shqipërisë, Gjinokstra, është njohur me provën e  Greqisë të vitit 1914 që të ndajë këtë vend të bukur nga Shqipëria që sapo kish fituar indipendencën, dyke krijuar një republikë Greko-Shqiptare nën kryesinë e një ish-ministri grek. Qëllimi ish që më pastaj këtë vend t’ia bashkonin Greqisë. Në vitin 1917, gjenerali italian, Ferrero, në Gjirnokastër promovojë indipendencën e Shqipërisë, duke përfshirë dh këtë vend. Të gjitha vuajtjet e shqiptarëvet dhe t’arumunevet (vlleht) që hiqnin gjer në atë kohë prej grekëvet muarrën fund, por pushtimet e grekëvet vazhdojnë. Ata vrisnin dhe shkatërronin, digjnin katunde dhe qyete, kishin për qëllim të çduknin nga Shqipëria e Jugët elementin shqiptar dhe arumun që në këtë mënyrë më vonë të mundnin të proklamonin Jugun si vend të banuar prej grekësh. Edhe një qytet më piktoresk të maleve t’Epirit shqiptar, Leskoviku (qytet i preferuar për shëtitje prej shqiptarëve të pasur), që sot asht gërmadhë. Këtu kam dëgjuar për tmerrimet e mëdha që kanë bërë grekët. Vetë një njeri me kompetencë, arumun nga elita e Korçës, z. Ballamaqi, që rrjedh prej familjes kreshnike arumune e cila u shkatërrua prej grekëvet, tregon masakrat. Prej Gjinokastre një rrugë shumë piktoreske-ndonëse e rrezikshm të shpije në Sarandë, piktoreske sepse zgjatet gjatë Drinos e cila më anën e mëngjër ka qytete dhe katunde të ngjitura me shkëmbenjë, në maje të maleve si fole të vërteta zhgabash. Më anë të djathtë të lumit duken katundet”.