Përdorimi i minorenëve në protestat e dhunshme/ Rama: Tejet e dhimbshme, streha e fundit e maskarallëkut të politikës opozitare

Kryeministri Edi Rama dënoi sot përdorimin e minorenëve nga opozita në protestat e dhunshme që po zhvillohen në vend.

“Prindër demokratë dhe opozitarë! Terroristët e Boko Haramit që i përdorin sot e gjithë ditën fëmijët si kamikazë në Afrikë, nuk janë të parët në radhën e abuzuesve politikë të minorenëve! Historia njeh disa raste kriminale me fëmijët, por që të shfaqej në Shqipëri, si streha e fundit e maskarallëkut të politikës së vjetër opozitare, kjo është tejet e dhimbshme”, tha Rama.

“Këta fëmijë nuk janë të atyre që i paguajnë e që fërkojnë duart me këto pamje dhe këto pamje kaq të dhimbshme s’kanë asnjë lidhje me drejtësinë e me Shqipërinë. Kjo nuk është selia e PS në Shkodër që po vandalizohet, kjo është pasqyra e shpirtit dhe e mendjes së udhëheqësve tuaj!

Mos i harroni kurrë këto pamje dhe këta fëmijë, që të mos bëheni bashkëfajtorë me udhëheqësit tuaj në këtë krim me fëmijët, duke u besuar akoma ëndrrat, shpresat dhe zgjidhjen e halleve e të problemeve tuaja! Nesër cilido prej këtyre minorenëve mund të jetë fëmija juaj”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.