Sarandë, kërcënohet me jetë kompozitori Limoz Dizdari

Kompozitori dhe njëherësh administratori i Qendrës së Artit “Dea” në Ksamil, Limoz Dizdari, është kërcënuar me jetë.

Sipas tij këto kërcënime i vijnë me qëllim që ai të frikësohet dhe të heqë dorë nga qendra që administron.

Dizdari është shprehur para mediave se Komisariati i Policisë në Sarandë nuk e ka marrë parasysh denoncimin e tij të datës 16 nëntor.

“I kam vënë në të gjithë në dijeni, kryetarin e Kuvendit, presidentin, kryeministrin ambasadën amerikane, gjermane dhe angleze. Cili është gabimi që unë kam, bërë, pse erdha, atje vërtet ishte stallë kuajsh dhe gara ishte me zogjtë pasi kur isha unë dhe i bie pianos pushonin zogjtë. Unë i kam kërkuar shefit të komisariatit, në lidhje me këtë ndjekje pasi është policia ajo që i dërgon materialin prokurorisë por nuk di. Kërcënimin e parë e kam marrë në 2018 ndërsa ky është marrë me 16 nëntor 2020. Pretendimi ka qenë i një zonje që pretendonte se i kemi marrë pronën por nuk rezulton një gjë e tillë. Unë e kam kaluar me qetësi këtë denoncim, nuk ka frikë njeriu nga gjarpri, por gjarpri nga njeriu. Ai që më ka inat le të vijë të ma thotë hapur.”, është shprehur ai.

Ndërkohë në një letër që i kanë nisur nga një person i paidentifikuar, theksohet se janë shumë persona të cilët kërkojnë që të helmojnë profesorin.