Fiço: Janë rritur rastet e infeksionit te moshat e reja! Gjirokastra, qarku me incidencën më të lartë

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fiço ka deklaruar gjatë konferencës për shtyp nga Komiteti i Ekspertëve se është rritur numri i rasteve pozitive në grupmoshat nga 25 deri në 34 vjeç.  Fiço i bëri apel të rinjve që të shmangim grumbullimet. Ndërkohë ajo deklaroi se qarku me incidencën më të lartë është Gjirokastra, ndjekur më pas nga Tirana.

“Situata në vend është vlerësuar në mënyrë dinamike gjatë gjithë pandemisë në tre indikatorë, vlerësimin e situatës në 14 ditë, rastet për 100 mijë banorë dhe numrin e humbjes së jetëve. Niveli i incidencës është ulur. Në dy javët e fundit incidenca e rasteve mbetet në 227 raste për 100 mijë banorë. Niveli i pozitivitetit është mesatarisht 22%. Mosha mesatare e rasteve pozitive është 47-48 vjeç.

Jo pa qëllim e sollëm në mënyrë të veçantë numrin e grupmoshave pasi vihet re se ka rritje në grupmoshën 25-34 dhe i bëjmë thirrje të rinjve të mos grumbullohem. Gjirokastra është në fillim për nga incidenca, ndjekur nga Tirana. Situata për këto dy javë mbetet e qëndrueshme me zbritje të lehta që janë për t’u parë në vijimësi. Nuk ka vend për vetëkënaqësi. Transmetueshmëria është e lartë dhe mbi të gjitha jemi në pikën kur duhet të jemi të kujdesshëm në zbatimin e masave. Ne mendojmë se këto masa kanë kontribuar në këto shifra ku jemi”, tha Fiço.