KLSH hetim “Salillarit”/ Duhet të mirëmbante rrugën e Borshit që u shemb

Cilësia e dobët e punimeve ka bërë që rruga e Borshit, e rikonstruktuar vetëm një vit më parë nga kompania “Salillari” të shkatërrohet pas reshjeve të shiut.

Edhe pse kanë kaluar disa ditë që prej shembjes së rrugës që ka shkaktuar probleme me lëvizjen e automjeteve dhe duke vënë në rrezik disa banesa, nuk ka ende asnjë vendim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar se si do të procedohet për rikonstruksionin e saj apo cila do të jetë rruga që do të përdoret për të lëvizur. E për më tepër, as nëse do të këtë fonde shtesë për rindërtimin e saj.

Problematikat e krijuara kanë vënë në lëvizje Kontrollin e Lartë të Shtetit i cili ka ngritur një grup kontrolli për të verifikuar procedurat dhe punimet e kryera në aksin nacional Himarë-Sarandë.

Ky ekip është urdhëruar që të analizojë dhe verifikojë me detaje edhe punimet në terren që janë kryer në këtë aks. Paralelisht, Kontrolli i Lartë i Shtetit po verifikon gjithashtu dhe procedurat e disa akseve rrugore të tjera në vend.

Rruga me gjatësi 350 km i përket rajonit jugro Vlorë-Gjirokastër dhe është ndërtuar nga konsorciumi i përbërë nga kompania Elicatechnical Commerce Societa  dhe kompania Salillari sh.p.k, që duhet të mbante përgjegjësi edhe për mirëmbjajtjen e saj.