Rrëshkitjet në rrugën e Himarë-Sarandë/ Prefekti Mamaj: Masa shtesë për mbrojtjen e korsisë ku kryhet qarkullimi

Në aksin rrugor Himarë – Sarandë, në Borsh ku ditët e fundit kishte rrëshkitje po merren masa shtesë për mbrojtjen e korsisë ku kalon aktualisht trafiku dhe mbajtjen e rrugës në kushtet aktuale.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha sot në një prononcim për ATSH-në se “firma kontraktore e rrugës po punon për të përmirësuar rrugën të paktën me një kalim. Nga shirat që po vazhdojnë të bien të mos ketë probleme të mëtejshme”.

Sipas tij, po merren masa shtesë deri sa të mbarojnë shirat për të garantuar aksin me një kalim që të mos ndërpritet qarkullimi.

“Përtej masave, ku përfshihet vënia e semaforit, ndarëseve të betonit, këto masa janë shtesë për të shmangur ujin në këtë aks që ka patur rrëshkitje”, shtoi prefekti.

Prefekti bëri të ditur se firma kontraktore ka veshur me material plasmas, që nuk e depërton ujin, pjesën e çarë të rrugës. Kjo bëhet për të minimizuar sa më shumë hyrjen e ujërave sipërfaqësorë dhe mbajtjen të qëndrueshme të rrëshqitjes në këto kushte”.

“Lëvizja kryhet në aksin tjetër, është vendosur sinjalistika dhe monitorohet nga policia dhe kontraktori, ndërsa në terren janë në gatishmëri forca dhe mjete”, – tha Mamaj.

Moti i keq me reshje të dendura shiu ka përfshirë ditët e fundit gjithë vendin, krijoi probleme edhe në aksin Himarë – Sarandë, në Borsh, ku u dëmtua një pjesë e rrugës duke krijuar edhe çarje të saj. Aktualisht qarkullimi në këtë rrugë kryhet me një kalim.