Sarandë/ Ish-doganieri dënohet për trafik droge, lënda narkotike i kalon Institutit të Qenve të Policisë

Gjykata e Sarandës ka dhënë dënimin për dy trafikantë droge të kapur në Qafë – Botë në dy raste të veçuara.

Të dy dënimet janë dhënë nga gjyqtari Fatmir Ndreu.

Arten Ibrahimi, 37-vjeç, ish punonjës në doganën “Tre Urat” në Përmet u dënua me 8 vjet burg për “trafik narkotikësh në tentativë” dhe 8 vjet burg për “trafik armësh në tentativë”.

Në bashkim të dënimeve dhe kërkesës për gjykim të shkurtuar, ish doganieri u dënua me 6 vjet burgim.

Shtetasi Arten Ibrahimi u kap në 21 shkurt 2020 në doganën e Qafë – Botës në tentativë për të trafikuar në Greqi rreth 35 kg marijuanë, ndërkohë që nga kontrolli në mjet iu gjet dhe një pistoletë TT.

Njëherësh Gjykata vendosi që mjeti i tij tip “Toyota” Rav 4, të sekuestrohet.
Ndërkohë Arsen Hoxhaj, 41-vjeç, nga Cakrani i Fierit, person me precedentë të mëparshëm penalë, u dënua me 12 vjet burg për “trafik narkotikësh në tentativë” dhe pas kërkesës për gjykim të shkurtuar u dënua me 8 vjet burg.

Hoxhaj është kapur në 17 janar 2020 në doganën e Qafë – Botës. Në mjetin e tij policia gjeti dhe sekuestroi 63.7 kg marijuanë.

Gjykata vendosi që kjo lëndë narkotike t’i kalojë Institutit të Përgatitjes Qenve të Policisë ndërkohë që u sekuestrua edhe mjeti tip “Mitsubishi” në pronësi të tij.